Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi Bashkisë së Tiranës të rishikojë disa vendime, sipas saj, të padrejta në paketën fiskale, duke nisur nga pagesa disa herë e taksës së arsimit.
“Kjo taksë paguhet për çdo NIPT dytësor. Pra një biznes që ka disa NIPT-e e paguan disa herë këtë taksë”, deklaroi Artan Bozo, nga Dhoma Amerikane e Tregtisë.
Paralelisht Dhoma Amerikane kërkoi që të ndryshojë edhe mënyra sesi Bashkia i kategorizon bizneset për efekt të Tarifës së Pastrimit. “Në mënyrë që të gjitha bizneset të paguajnë një tarifë të drejtë”, shtoi Bozdo.
Por Bashkia thotë se është përpjekur të ndërtojnë një sistem të drejtë taksash vendore, i domosdoshëm për financimin e punëve publike në kryeqytet.
“Qyteti është një shtëpi e madhe që u përket të gjithëve dhe këto para ne i shndërrojmë në punë publike”, tha nënkryetari Arbjan Mazniku.
Sipas Maznikut, barra e taksave vendore që paguajnë bizneset e kryeqytetit është më e ulët sesa ajo e vendeve fqinje dhe këtë e ilustroi me madhësinë e buxhetit. “Buxheti i Bashkisë së Tiranës është më i ulëti në kryeqytetet e rajonit”, u shpreh ai.
Në paketën e re fiskale ndryshuan një sërë taksash dhe tarifash vendore, të cilat shkaktuan edhe protesta nga bizneset e vogla në kryeqytet.
Top Channel