Elefanti ngordh nga lodhja gjatë transportit të turistëve

27/04/2016 00:00

Gjithnjë e më shumë, elefantët po shfrytëzohen për transport të materialeve apo të turistëve në vendet aziatike, si Tajlanda, Vietnami apo Kamboxhia.

Në temperatura mjaft të larta, këto kafshë detyrohen të transportojnë turistë për orë të tëra, ndërsa goditen në trup për të stimuluar ecjen.

Por së fundi, një elefant femër, Sambo, ka ngordhur ndërsa ishte duke transportuar turistë në temperatura 40 gradë celsius dhe menjëherë fotot e kafshës kanë bërë xhiron e botës.

Mediat vendase raportuan se autoritetet kanë nisur edhe hetimet ne lidhje me ngordhjen e kafshës, e cila dyshohet se pësoi sulm kardiak si pasojë e lodhjes. Elefanti ishte i moshës 40-45 vjeç dhe prej vitit 2001 përdorej për transportin e turistëve.

Reagime të ashpra ka pasur në lidhje me rastin në internet nga dashamirës të kafshëve.

Në rrjetet sociale është shpërndarë edhe një peticion për ndalimin e elefantëve në transportin e turistëve, i cili deri tani është nënshkruar nga më shumë se 10 mijë persona.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel