Në përfundim të seancës plenare, ish-kryeministri Berisha ka sqaruar për mediat tenderave të cilëve iu ishte referuar gjatë seancës, të cilat shkaktuan dhe përplasjet mes deputetëve.
“Unë solla dokumenta zyrtare që faktojnë se Safet Gjici, nga 6 tendera që fitoi në 2013, fitoi vitin e kaluar 58 tendera me një kompani të vetme. Solla dokumenta të pakundërshtueshme, që Sadri Abazi, nga asnjë tender në 2013, fiton në 2015 16 tendera. Solla dokumenta që faktojnë se Pjerin Ndreu, nga 4 tendera në 2013 ka fituar 16 në 2015”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka theksuar se ka paraqitur dokumenta origjinale që tregojnë se edhe kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, ka shpallur fituese një kompani me 337 milionë lekë fond limit.
“Ai përjashton kompanitë që japin 240 milionë, 279 milionë dhe këtej fiton kompania me 317 milionë lekë, 120 milionë më shumë, pasi thuhet se Kokoneshi, bashkë me Kokoneshin e tij në Parlament kanë futur në xhepa 1 milion dollarë”, ka thënë Berisha.
Akuzave të tij nuk i ka shpëtuar as kryeministri Rama, që sipas parardhësit të tij, ka abuzuar me miliona dollarë me tenderin e rrugës Lin-Pogradec.
“Për një rrugë të Edi Ramës, e gjatë 930 metra në fshatin Lin, shpenzohen për ndërtim 9.9 milionë dollarë, në një kohë kur e gjithë rruga nga Lini në Pogradec është prokuruar me 21 milionë dollarë”, ka thënë Berisha.
Një tjetër rast i denoncuar prej tij ka qenë ai i drejtorit të ujësjellësit të Pogradecit, që sipas Berishës, “i ka caktuar vetes rrogën 2.5 milionë në kundërshtim me të gjitha ligjet, përdorim telefoni pa limit dhe një kapar, që nëse ikën nga puna ka të drejtë të dëmshpërblehet me 15 milionë lekë”.
“Siç e shihni, kusaria shtetërore e kësaj mazhorance është e pakufijshme, por vendosmëria jonë për të luftuar është absolute”, ka shtuar Berisha.
“Panamaja” e vërtetë është në Shqipëri
Në vijim të prononcimit, ish-kryeministri Berisha i është përgjigjur interesit të mediave mbi skandalin ndërkombëtar të njohur si “Panama Papers”.
“Panama paper është një procedurë ligjore. Çdo kompani ka të drejtë të shkojë të regjistrohet atje me dy kushte, të mos bëjë evazion dhe pastrim parash”, ka thënë Berisha.
Në vijim Berisha ka folur edhe për përfshirjen e supozuar të kompanisë kanadeze Global Fluid International.
“Një gjë është e sigurtë, që kompania kanadeze nuk ka patur aktivitet, ndaj nuk besoj të ketë arritur të transferojë kapitale nga Shqipëria, të ketë bërë transaksione”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, qeveria aktuale e ka përzënë këtë kompani nga vendi. “Dy javë më parë Arben Ahmetaj ka urdhëruar që të shënohet nafta e nxjerrë”, ka thënë Berisha.
Ish-kryetari i PD ka shtuar më tej se përfituesit e parave dhe evazorët shqiptarë nuk duhet të kërkohen në Panama. “Panama offshore është Surreli, është një pallat tek lagjia ime, Beqaj, Kokëdhima, etj. s’ka nevojë të shkojmë në Panama”, ka shtuar Berisha.
Top Channel