Bagdad, nis shembja e mureve të sigurisë

25/03/2016 12:55

Vendimi i qeverisë irakiane për të shembur shumë pjesë të murit të sigurisë në Bagdad ka gjeneruar shumë debat pas sulmeve të shpeshta kamikaze të muajve të fundit.

Autoritetet irakiane rishikuan masat e tyre të sigurisë në fillim të vitit, në të cilat u përfshinë edhe shembja e disa sektorëve të murit masiv në Bagdad për të përmirësuar trafikun. Shumica e zonave që mbrohen nga këto mure janë zyra qeveritare, ambasada apo vende të frekuentuara. Muret e sigurisë kanë ndaluar shumë sulme terroriste, por gjithashtu kanë shkaktuar kaos në lëvizjen e përditshme të njerëzve.

Shumë qytetarë kërkojnë që muret të hiqen në mënyrë që ata të lëvizin lirshëm dhe pa pengesa, por ky vendim ka hasur kundërshtimin e ekspertëve të sigurisë. Ata thonë se është ende herët për të shembur muret e sigurisë, kur çdo ditë shihet qartë në terren që agjencitë e inteligjencës dhe autoritetet kanë aftësi të kufizuara për të ndaluar sulmet terroriste.

Por banorët e kryeqytetit kanë mbështetur lëvizjen e qeverisë, duke thënë se muret veçse pengojnë lëvizjen, nuk kanë pasur ndonjë efekt të lartë në mbrojtjen e qytetit, pasi sulmet terroriste janë shtuar. Plani i autoriteteve është që muret të largohen nag qendra dhe të spostohen në zonat e jashtme të qytetit për të penguar terroristët që të hyjnë në Bagdad.

Sa e efektshme do të jetë kjo strategji nuk dihet, por ekspertët thonë se autoritetet nuk kanë treguar zotësi të madhe në luftën kundër terrorizmit dhe kjo lëvizje e fundit nuk duket nga më të mençurat.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA