Ovacione për Obamën, presidenti përshkon në këmbë rrugët e Havanës

21/03/2016 11:25

Duartrokitje për Obamën dhe familjen e tij, kur kanë mbërritur në sheshin e katedrales së Havanës së vjetër. Disa qindra persona kanë duartrokitur dhe kanë thirrur emrin e presidentit “Barack, Barack”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë ka kaluar disa minuta duke përshëndetur njerëzit dhe ka shtrënguar duart me disa prej tyre para se të hynte në katedrale.

Ndërkohë, pas vizitës në katedrale dhe takimit me kardinalin Ortega, presidenti është ndalur tek restoranti historik San Cristobal, një nga më të njohurit dhe më të mirët të kryeqytetit kuban.

Korteu presidencial ka mbërritur atje duke kaluar nëpër rrugicat e ngushta të mbushura me njerëz që përpiqeshin të shihnin presidentin.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se, nuk është ndjerë aspak e fyer nga mungesa e pritjes në aeroport të presidentit kuban Raul Castro.

“Nuk ka qenë parashikuar dhe as konsideruar prania e tij në atë vend”, ka deklaruar Ben Rhodes, këshilltar i presidentit Obama për sigurinë.

Rreth një muaj më parë, Castro kishte pritur në aeroportin e Havanës Papa Françeskun dhe patriarkun ortodoks rus, Kirill.

FOTO GALERI
4/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA