Demarkacioni me Malin e Zi, banorët: Kufiri ka qenë e do të mbetet në Qafë Çakorr

17/03/2016 00:00

“Që kur është bërë vija kufitare me Malin e Zi, banorët e kësaj ane thonë se nuk guxojnë të ecin kësaj rruge të paasfaltuar më shumë se dy kilometra. Ndërkohë, ata kujtojnë se kufiri me Malin e Zi ka qenë 10 kilometra nga fshati Çakorr”.

Zeqir Dreshaj, kryeplaku i fshatit Kuqishtë, që shtrihet në brezin kufitar me Malin e Zi, ka thënë për Top Channel se, banorët nuk do të pranojnë kurrfarë vije kufitare që parashikon Qafën e Çakorrit jashtë territorit kosovar.

“Në 1932-shin kufiri ka qenë në Qafën e Çakorrit. Sesa e kanë lëvizur tinëz, ato nuk merren parasysh. Kufiri i popullit shqiptar dihet, prej Kaçanikut e ku ka popull shqiptar kufirin e kemi në Qafë Çakorr. Aty e kemi pasur edhe aty do të mbetet”, tha Zeqir Dreshaj, kryeplak i fshatit Kuqishtë.

Por, ajo që kujton 85-vjeçari Dreshaj, sipas hartave kadastrale ka lëvizur në vitin 1974, kur janë vendosur kufijtë administrativë të vendeve të ish-Jugosllavisë. Mbi ata kufij, Kosova ka shpallur Pavarësinë e saj në 2008-n.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se, javën e ardhshme do të takojë banorët e zonës për të mbledhur ndonjë dëshmi.

“Ne i kemi pritur si komunë, por edhe Komisioni e ka pritur komunën për të dërguar ndonjë dëshmi. Ne si komunë nuk kemi pasur dëshmi për të treguar diçka tjetër”, tha Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës.

Derisa të rishikohet dhe vendoset kufiri Kosovë-Mali i Zi, shteti nuk do të vazhdojë asfaltimin e rrugës nga Kuqishta në Çakorr, pasi ende nuk dihet gjatësia e saj. Në këtë rrugë, aktualisht kalon vetëm ndonjë ujk, apo rojet e pyllit.

Top Channel