Gjermani, bombë makinës në lëvizje. Humb jetën drejtuesi

15/03/2016 00:00

Shpërthimi i një automjeti në lagjen perëndimore Charlottenburg shkaktoi panik në kryeqytetin gjerman Berlin.

E gjithë zona u mbyll menjëherë për trafikun, ndërsa banorët u këshilluan të mbyllnin dritaret e apartamenteve e të qëndronin larg tyre. Episodi ngjalli frikën e një akti terrorist, por të dhënat fillestare lënë të kuptohet se, mund të bëhet fjalë për vrasje.

Personi, që ndodhej brenda mjetit të tipit Volkswagen Passat, vdiq në vend. Shpërthimi erdhi në kohën kur makina ishte në lëvizje. Ekipet e çaktivizimit të eksplozivëve ndërhynë me shpejtësi dhe kontrolluan vendin, ku nuk u gjet asnjë lëndë tjetër plasëse.

Makina u hodh në erë në kohën kur po kalonte në Bismarckstrasse, gjatë orëve të para të ditës, kur njerëzit lëvizin për në punë. Sipas mediave lokale, autoritetet kanë nisur një hetim për vrasje, por zëdhënësi i Policisë së Berlinit, Michael Merkle u tregua i kursyer në detaje.

“Për momentin nuk them dot asgjë mbi ngjarjen, – u shpreh ai. – Jemi në hapat e parë të hetimit”.

Autoritetet nuk e kanë bërë ende publik identitetin e viktimës. Këto vitet e fundit ka pasur disa episode të dhunshme në qytet, të lidhura me tregtinë e drogës, por zyrtarët preferojnë të mos spekulojnë mbi motivet e krimit të sotëm, ndaj po shqyrtojnë çdo skenar të mundshëm.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel