Turqi, tjetër shpërthim në Ankara, 35 të vdekur dhe 125 të plagosur

13/03/2016 00:00

Një shpërthim i fuqishëm në Ankara ka lënë të paktën 35 të vdekur dhe 125 të plagosur. Bomba e vendosur në një nga lagjet kryesore të Turqisë, ku ndodhen ministritë, ka shpërthyer pranë disa stacioneve autobusi, çka i ka kushtuar jetën edhe njerëzve kalimtarë aty pranë.

23 prej tyre vdiqën në vendngjarje e ndërsa të tjerët në spital. Zona është evakuuar menjëherë, për të shmangur një shpërthim të dytë dhe të plagosurit i kanë shpërndarë në 10 spitale të vendit.

Ndërkaq, Presidenti i vendit, Rexhep Erdogan, la takimet zyrtare në Stamboll për t’u kthyer në Ankara dhe të asistojë në një tjetër tragjedi për vendin e tij.

Në më pak se 6 muaj ky është sulmi i tretë që godet Turqinë.

Ndërkaq, Ambasada amerikane i ka kërkuar qytetarëve të saj se në bazë të një informacioni për një tjetër sulm terrorist në lagjen Bahçelievler, të shmangin lëvizjet e tyre.

Pas sulmit të 17 shkurtit ku 29 persona humbën jetën, qeveria e Ankarasë u zotua për një mekanizem më të fortë në ruajtjen e sigurisë së vendit dhe një vigjilencë të madhe të shërbimeve të inteligjencës, por sulmi i së dielës dëshmoi të kundërtën.

Top Channel