Presidencialet në SHBA, Obama: Kandidatët nuk duhet të mbështeten te fyerjet

13/03/2016 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama ka paralajmëruar pretendentët për “Shtëpinë e Bardhë”, duke u kërkuar të shmangin rritjen e tensioneve, një ditë pas anulimit të një mitingu të Donald Trumpit për shkak të përplasjeve mes simpatizantëve.

Obama tha se kandidatët nuk duhet të përqëndrohen te “fyerjet” dhe sigurisht “jo te dhuna ndaj amerikanëve të tjerë”.

Trump, i cili udhëheq garën për nominimin republikan, anuloi mitingun e organizuar në Chicago, pas luftimeve mes mbështetësve të tij dhe protestuesve. Rivalët e tij por dhe shumë të tjerë e akuzojnë atë se, po përdor së tepërmi një retorikë nxitëse.

Ndërkohë mbrëmjen e vonë të së shtunës, Trump pësoi humbje të rënda në të ashtuquajturat “caucuses” të republikanëve në Uashington DC dhe në Wyoming.

Obama, të cilit pritet të lërë Presidencën amerikane në Janar të vitit të ardhshëm, pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, ka folur në një takim për mbledhjen e fondeve për Partinë Demokratike, në Dallas.

“Ata që kandidojnë për Presidencën duhet të fokusohen te mënyra sesi mund të bëjmë më mirë, jo te ofendimet dhe ngacmime adoleshentësh, as te faktet e fabrikuara dhe kurrsesi te përçarja në vija racore apo besimi”.

Përplasjet në mitingun e Trumpit gjatë së premtes, nisën më shumë se një orë përpara se të fillonte shfaqja, si dhe vazhduan edhe pasi u anulua.

Të shtunën, Trump bëri fushatë në Ohio, në prej shteteve kyçe, përpara të ashtuquajturave “primare” të Floridës dhe Ohios gjatë së martës.

Në Dayton të Ohios, ai u rrethua shumë shpejt nga agjentë të shërbimeve sekrete në skenë, pasi një person tentoi të thyente kordonin e sigurisë. Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër antiemigracion, duke premtuar ndërtimin e një “muri të madh” në kufi me Meksikën.

Top Channel