Bisedimet e paqes, qeveria siriane vendos kushte paraprake

13/03/2016 00:00

Qeveria siriane do të dërgojë një delegacion në bisedimet për paqen, që duhet të nisin në Gjenevë të hënën, por vendosi kufizime në axhendën e saj.

Ministri i jashtëm sirian Walid Muallem, duke folur nga Damasku hodhi poshtë çdo ide për zgjedhje presidenciale. Në këtë kuadër, një zëdhënës i opozitës siriane tha se, kushtet paraprake të qeverisë mund t’i ndalin bisedimet ende pa nisur mirë.

Dhuna në Siri është pakësuar ndjeshëm që prej armëpushimit të negociuar nga fuqitë e mëdha, por sidoqoftë problemet nuk janë zgjidhur ende dhe, nëse bisedimet dështojnë, luftimet mund të rinisin.

Opozita siriane tha se do të kërkojë në bisedime krijimin e një qeverie të përkohshme, me fuqi të plota ekzekutive, në të cilën Presidenti Bashar al-Assad dhe udhëhësia aktuale nuk do të kenë asnjë rol. Fati i Assad ka qenë një nga pengesat kryesore në bisedimet e mëparshme për paqen.

Më herët, i dërguar i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura tha se, dëshiron që në Siri të zhvillohen zgjedhje presidenciale brenda 18 muajsh, por ministri i Jashtëm sirian e hodhi poshtë këtë ide.

“Askush nuk ka të drejtë që të flasë për zgjedhje presidenciale në Siri. Kjo është e drejtë ekskluzive e popullit sirian”, deklaroi Muallem. Ai tha gjithashtu se, kërkesat e opozitës për një qeveri të përkohshme me fuqi ekzekutive janë “vijë e kuqe” e udhëheqësisë aktuale dhe, nëse opozita do ta kërkojë vërtet këtë në bisedime, është më mirë që të mos shkojë fare atje.

Por, opozita reagoi duke thënë se qeveria po u jep fund bisedimeve pa nisur mirë dhe kjo tregon qartë se, ajo nuk është aspak e angazhuar dhe nuk ka vullnet për paqe.

Analistët thonë se, palët ndërluftuese në Siri janë nën presion të madh nga mbështetësit e tyre, që të marrin pjesë në bisedimet e Gjenevës, ndaj dhe askush nuk dëshiron të fajësohet për prishjen e tyre. Për këtë arsye pritet pjesëmarrja e tyre në bisedime, por kjo nuk është një garanci.

Top Channel