Bisedimet e paqes, Kerry akuzon qeverinë siriane: Po dëmtoni procesin

13/03/2016 00:00

Fuqitë perëndimore kanë dënuar përpjekjet e qeverisë siriane për të vendosur kufizime në axhendën për bisedimet e paqes.

Të shtunën, dy ditë para nisjes së planifikuar të bisedimeve të Gjenevës, ministri i Jashtëm i Sirisë përjashtoi çdo diskutim të zgjedhjeve presidenciale.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u përgjigj duke akuzuar Damaskun se përpiqet që të prishë procesin. Ai foli pas takimit të zhvilluar me ministrat e Jashtëm europianë në Paris. Muajin e kaluar palët arritën armëpushimin në Siri dhe nga kjo përjashtohej Shteti Islamik ISIS dhe grupe të al-Kaedës.

Më herët, i dërguar i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura tha se, dëshiron që në Siri të zhvillohen zgjedhje presidenciale brenda 18 muajsh, por ministri i jashtëm sirian Ëalid Muallem, duke folur nga Damasku hodhi poshtë këtë ide.

Në këtë kuadër, një zëdhënës i opozitës siriane tha se, kushtet paraprake të qeverisë mund t’i ndalin bisedimet ende pa nisur mirë.

Ndërkohë, opozita siriane tha se do të kërkojë në bisedime krijimin e një qeverie të përkohshme, me fuqi të plota ekzekutive, në të cilën Presidenti Bashar al-Assad dhe udhëhësia aktuale nuk do të kenë asnjë rol.

Fati i Assad ka qenë një nga pengesat kryesore në bisedimet e mëparshme për paqe.

Top Channel