Azi, zhduket gjatë lundrimit nëndetësja koreano-veriore

12/03/2016 19:45

Një nëndetëse koreano-veriore është zhdukur dhe mendohet të jetë mbytur në ujërat territoriale të vendit të izoluar komunist.

Sipas një gazete amerikane me lidhje të afërta ushtarake, ka disa ditë që mjeti lundrues nënujor është zhdukur.

Aksidenti vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon, me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara që vazhdojnë stërvitjen e përbashkët ushtarake më të madhe të kryer ndonjëherë.

Regjimi i Penianit kishte shprehur irritimin e tij lidhur me këtë stërvitje, duke lëshuar kërcënimin bërthamor të radhës si kundërpërgjigje.

Sipas gazetës së Institutit të Marinës Amerikane, satelitët amerikanë po mbikëqyrnin nëndetësen kur papritur ajo u zhduk. Burimi në fjalë thotë se, ushtria koreano-veriore ka në dispozicion një flotë prej rreth 70 nëndetësesh të përmasave të ndryshme.

Sipas CNN, ushtria amerikane ka bërë kërkime për mjetin e zhdukur. Ndërsa i dërguari i BBC në Seul, Stephen Evans thotë se Peniani ka dy baza nëndetësesh në bregun lindor, përballë Japonisë, dhe shton se mjeti po lundronte pikërisht në këto ujëra.

Nëse nëndetësja është mbytur, ende nuk dihet nëse ngjarja ka të bëjë me përplasjen aktuale mes Veriut dhe Jugut, shton korrespondenti i rrjetit britanik.

Top Channel