Refugjatët, pa marrëveshje. Mungesa e paktit pengon edhe ndihmat humanitare

11/03/2016 00:00

Situata e refugjatëve të bllokuar tashmë në korridorin ballkanik sa vjen e rëndohet, por në Bruksel ka mosmarrëveshje mbi hapat që duhen hedhur në vazhdim.

Pengesat juridike – sipas mediave gjermane, – bllokojnë ndihmën humanitare dhe në zgjidhjen e ngërçit nuk ndihmoi shumë as takimi i fundit i ministrave të Brendshëm të BE-së.

Vullneti i mirë nuk mungon, megjithatë rezultatet nuk shihen ende. “Unë jam i sigurtë se, të gjitha temat juridike do të mund të zgjidhen në mënyrë të pranueshme nga të gjithë, deri në takimin e javës së ardhshme”, u shpreh ministri gjerman i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere.

Me tema juridike, ai kishte parasysh nëse do të lejohet  BE-ja ta vulosë marrëveshjen me Turqinë, mbi të cilën u ra dakord në parim të hënën. Plani është që të gjithë refugjatët e parregullt në ishujt grekë të ktehen në Turqi.

Në këmbim të kësaj, Ankaraja kërkon që për çdo refugjat të kthyer, një refugjat i ligjshëm të shkojë në BE. Një rregull i tillë synon t’i shtyjë emigrantët të mos u besojnë më trafikantëve.

“Refugjatët që kapen tani në ishujt grekë, duhet të heqin të gjitha shpresat se mund të pranohen në BE”, sqaroi de Maiziere. Sipas ministrit të Brendshëm, në Gjermani tani po mbërrijnë më pak refugjatë. Të dhënat e policisë federale tregojnë se, të mërkurën, në vend hynë vetëm 125 emigrantë, që është shifra më e ulët ditore për 2016-n.

Top Channel