Qeveria konservatore shkurton fondet, nëna e Cameron humbet punën

11/03/2016 00:00

Masat ekonomike të qeverisë konservatore në Britaninë e Madhe duket se janë vërtetë nga më të ndershmet në botë, pasi edhe nëna e kryeministri David Cameron ka humbur punën për shkak të shkurtimit të fondeve.

Mary Cameron mbeti pa punë, pasi këshilli konservator i zonës ku ajo banon, vendosi që të mbyllet qendra për fëmijët ku ajo punonte.

Në një intervistë për mediat britanike, nëna e kryeministrit tha se ishte e trishtuar për mbylljen e qëndrës në zonën e Oxfordshire. Më herët, ajo ishte përpjekjur që ta ndalonte këtë masë të autoriteteve lokale, duke vendosur emrin e saj në një peticion kundër këtyre planeve. Por, duket se mbiemri Cameron nuk ka bërë punë, pasi Komuna e West Berkshire vendosi që të mbyllë qendrën për fëmijët. Megjithatë, nëna e Cameronit nuk ka kundërshtuar politikat e djalit të saj.

“Jam e trishtuar që qendra u mbyll, por nëse nuk ka parà për të paguar për të, s’kemi çfarë të bëjmë”, deklaroi Mary Cameron, duke theksuar – e pyetur nga mediat, – se nuk kishte folur kurrë me djalin e saj për këtë çështje, pasi nuk i lejon vetes që të ndërhyjë.

Pas rishikimeve të shpenzimeve nga Kancelari George Osborne në nëntor, komunat në Angli do të humbasin 24% të të ardhurave të tyre nga qeveria qendrore deri në 2020-n, dhe që tani kanë nisur të marrin masa.

Top Channel