NATO, SHBA nominon pasuesin e gjeneralit Breedlove: Scaparrotti

11/03/2016 00:00

Gjenerali Curtis Scaparrotti është nominuar këtë të premte për të komanduar forcat amerikane dhe ato të NATO-s në Europë, duke pasuar në këtë pozicion gjeneralin Philip Breedlove, ku do të përballet me një ambient thuajse të qetë sigurie, por që tenton herë pas here të ndizet prej tensioneve të ngjashme me Luftën e Ftohtë me Rusinë, apo nga kriza e refugjatëve që kërcënon rendin politik të Europës.

Pentagoni njoftoi këtë të premte se, Scaparrotti është nominuar si komandant i Komandës Europiane dhe Komandant i Forcave Aleate të NATO-s.

Në Europë, NATO ka shpenzuar dy vitet e fundit duke iu përshtatur asaj që e konsideron si një Rusi më agresive dhe më të paparashikueshme, një pikëpamje e krijuar kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë gjatë vitit 2014. Në kundërpërgjigje, aleanca e udhëhequr nga Amerika ka punuar në rritjen e pranisë së saj përgjatë kufirit lindor me Rusinë, duke shtuar forcat alternuese dhe duke dyfishuar përmasat e forcës së reagimit të shpejtë deri në 40 mijë trupa.

Scaparrotti, nominimi i të cilit është miratuar po këtë të premte nga aleatët në Bruksel, aktualisht shërben si komandant i Forcave amerikane dhe ato të kombinuara të Kombeve të Bashkuara në Korenë e Jugut. Nëse nominimi i tij miratohet edhe nga Senati amerikan, ai do të marrë detyrën nga komandanti aktual Philip Breedlove.

Prania ushtarake e SHBA-ve në Europë është rritur ndjeshëm së fundi, me tanke të parapozicionuara, me më shumë trupa ushtarake të alternueshme dhe me forca manovrimi në një numër të madh kryesisht në kufijtë lindorë të NATO-s. Sfida e radhës do të jetë përmirësimi i gatishmërisë së përgjithshme të shteteve anëtare.

Përpara se të kryesonte në Kore, Scaparrotti, i diplomuar në 1978-n në West Point, ka mbajtur poste drejtuese në Irak dhe Afganistan.

Top Channel