Hetimet në SHBA: Ndihmësin e Putinit, Lesin, e vranë

11/03/2016 00:00

Ka qenë një goditje e dhunshme në kokë, ajo që i ka marrë jetën ish-ndihmësit të Vladimir Putinit, Mikhail Lesin, i cili u gjet i vdekur vitin e kaluar në një hotel në Uashington të Shteteve të Bashkuara.

57-vjeçari kishte shenja traume edhe në fyt, kraharor, në duar e në këmbë, pohoi mjeku në Uashington, që kreu autopsinë.

Ish-ministri rus i Shtypit, dikur drejtues i grupit të fuqishëm “Gazprom-Media Holding”, është konsideruar për një kohë shumë të gjatë si një prej figurave më me influencë të skenës mediatike ruse dhe korridoreve të pushtetit.

Ai ishte këshilltar i Presidencës gjatë viteve 2004-2009 dhe ndimoi në krijimin e kanalit informativ “Russia Today”, i njohur sot si “RT”. Lesin dha dorëheqjen nga “Gazprom-Media” në 2014-n. Pas vdekjes së tij, shtypi rus citoi pjesëtarë të familjes të pohonin se, 57-vjeçari kishte ndërruar jetë nga një atak kardiak, ndërsa Presidenti Vladimir Putin foli për “kontributin e jashtëzakonshëm”, që Lesini i kishte dhënë – sipas tij, – medias ruse.

Zëdhënësi i Policisë së Uashingtonit, Dustin Sternbeck njoftoi se çështja do të vazhdojë të mbetet nën hetim.

Mikhail Lesin ishte zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, së bashku me familjen, e kishte blerë në Los Angeles një pronë me vlerë tregu prej 28 milionë dollarësh, çfarë shtyu senatorin e Mississippit, Roger Wicker, të ngrinte pyetjen: si mundet një ish-nëpunës shtetëror të blejë dhe mirëmbajë një pronë kaq të shtrenjtë? E me këtë arsyetim, edhe të kërkonte nisjen e një hetimi.

Top Channel