BE-Kubë, pakt për të rivendosur lidhje të plota

11/03/2016 00:00

Bashkimi Europian dhe Kuba nënshkruan një marrëveshje në Havana për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, duke hapur kështu rrugën për bashkëpunim të plotë ekonomik midis vendit ishullor dhe bllokut 28-anëtarësh.

Ministri i Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez, dhe shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, nënshkruan paktin, i cili do të zëvendësojë një politikë të imponuar nga Europa 20 vite më parë, që shtyu për ndryshime në sistemin politik njëpartiak të Kubës.

“Unë mendoj se kjo është një ditë historike për marrëdhëniet tona dypalëshe. Gjithashtu besoj se është fillimi i një faze të re për ne. Është gjithmonë kënaqësi të jesh në Havana”, tha Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Ndërsa Rodriguez shtoi se, ky takim do të pasohet me një tjetër në vazhdim, për të përfunduar një dialog të të drejtave të njeriut, i cili është lënë pezull në Bruksel një vit më parë.

Pakti BE-Kubë vjen vetëm pak ditë përpara një tjetër vizite historike në Havana, asaj të Presidentit Barack Obama. Ndërkohë, takimet politike do të pasohen nga “Rolling Stones”, që do të luajë për herë të parë në Kubë, në atë që konsiderohet si koncerti i parë i një grupi legjendar rroku në ishull.

Top Channel