Kërkimet për avionin malajzian, për 2 vite u shpenzuan mbi 130 milionë dollarë

09/03/2016 00:00

Dy vjet pas zhdukjes së avionit malajzian me numër fluturimi MH370, Malajzia dhe Australia kanë shpresa se ai do gjendet. Avioni u zhduk mes Kuala Lampurit dhe Pekinit më 8 mars 2014 me 239 persona në bord.

Skuadrat e kërkimit të drejtuara nga Australia janë përqendruar në një zonë prej 120 mijë metra katrorë në jug të oqeanit Indian. Deri më tani është gjetur vetëm një pjesë e krahut në ishullin e Ribashkimit.

Kërkimet ku janë përfshirë ekspertë australianë, kinezë dhe malajzianë vlerësohet të kenë kushtuar më shumë se 130 milionë dollarë. Vendet kanë thënë se do t’i japin fund përpjekjeve vetëm kur kërkimet të kenë mbuluar tërësisht zonën, me shumë gjasa rreth muajit qershor.

Në një deklaratë gjatë së martës, kryeministri malajzian, Najib Razak, tha se ishte optimist se avioni do të gjendej. “Mbetemi të përkushtuar për të zgjidhur këtë mister të mundimshëm për ata që humbën të dashurit e tyre”, tha kryeministri malajzian.

Edhe ministri australian i Transportit, Darren Chester, tha se shpreson që avioni do të gjendej duke i dhënë kështu botës dhe familjarëve përgjigjen për atë që ka ndodhur.

Por, Martin Dolan, kreu i Byrosë australiane të Transportit që po koordinon hetimet, tha për median britanike BBC se qëndrimet e qeverive mbeteshin të pandryshuara dhe se kërkimet do të ndërpriteshin nëse nuk do të dilnin në dritë informacione të rëndësishme.

Të afërmit e personave që gjendeshin në fluturimin tragjik duan që operacioni të vazhdojë deri në gjetjen e avionit. Një numër i madh familjarësh kanë ngritur padi në vende të ndryshme të botës në kërkim të dëmshpërblimeve dhe përcaktimit të shkakut të aksidentit.

Top Channel