Irani teston raketat balistike, mediat: Sfidë presionit amerikan

08/03/2016 18:45

Irani ka lëshuar një seri raketash balistike nga bazat e vendit, në kuadër të një stërvitjeje ushtarake, duke sfiduar kështu presionin e Shteteve të Bashkuara.

Kështu shkruajnë mediat iraniane, që i referohen një komunikate të Gardës Revolucionare, në të cilën thuhet se, testet nxorrën në pah “sigurinë e vendit”.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë reaguar duke deklaruar se, nëse lajmet rezultojnë të vërteta, atëherë ata do ta ngrenë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Në janar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione që prekin programin raketor të Iranit, si pasojë e një seri testesh të tilla. Ekspertët e OKB-së deklaruan se, këto veprime kishin shkelur rezolutën e Këshillit të Sigurimit.

Rezoluta 1929, që i ndalon Iranit kryerjen e çdo veprimi me raketa balistike në gjendje të mbajnë koka bërthamore, u miratua pas marrëveshjes së arritur mes Iranit dhe 6 fuqive botërore dy muaj më parë.

Një rezolutë e re, 2231, hyri në fuqi më pas dhe i bën thirrje Teheranit zyrtar që të mos ndërmarrë aktivitete të tilla. Nga ana e saj Republika Islamike deklaron se nuk ka në dispozicion armë bërthamore dhe se do të vazhdojë zhvillimin e programit raketor.

Televizioni iranian raportoi këtë të martë se, raketat ishin qëlluar nga pika të ndryshme të vendit, por pa i përcaktuar ato.

Top Channel