Festë mes telave me gjemba. Gratë siriane, viktima të dhunës e pa përkrahje

08/03/2016 00:00

Edhe në Ditën ndërkombëtare të Gruas, dhjetëra siriane vijojnë të qëndrojnë pas telave me gjemba në kufirin greko-maqedonas, duke jetuar në të njëjtat kushte çnjerëzore, sikur të ishte një tjetër ditë e pashpresë për to.

Raida, refugjate siriane nga Aleppo dhe nënë e 3 fëmijëve, rrëfen mbi situatën e vështirë që po kalon.

“Si ndihem unë në një situatë të tillë? Është shumë e vështirë. Kam 17  ditë kështu, pa ndërruar as rrobat. Çfarë mund t’iu them më shumë? Asgjë. Edhe për fëmijët e mi të vegjël mungojnë gjërat bazike për të jetuar. Dhe ju më pyesni për situatën? Çfarë situate?”, thotë Raida, refugjate siriane.

Kombet e Bashkuara kanë si temë kryesore të këtij  viti, në Ditën ndërkombëtare të Gruas “Planeti 50% me 50% deri në vitin 2030”, duke bërë kështu thirrje për barazi gjinore dhe njëherazi për fuqizimin e rolit të grave.

Por për 21-vjeçaren Rafa, e cila ka udhëtuar nga Siria së bashku me një grup të afërmesh, ndërkohë që bashkëshorti i saj ka mbërritur më herët në Gjermani, duket se ka shumë pak për të festuar në këtë ditë.

“Hapni kufijtë, ju lutem hapni dyert. Ne duhet të jemi të sigurta, hapni kufijtë ju lutem. Ne kemi fëmijë. Ne i ikim luftës, por këtu po gjejmë një tjetër luftë”, thotë Rafa, refugjate siriane.

Porta premtuese perëndimore vijon të jetë e mbyllur. Kushtet e tmerrshme në kamp dhe moti i ashpër në ditët e fundit, kanë bërë që shumë nga fëmijët e emigrantëve të sëmuren. Dhe ky, mesa duket, është shqetësimi kryesor i grave siriane, pikërisht në këtë 8 Mars.

Top Channel