55 milionë $ dëmshpërblim gazetares së Fox

08/03/2016 00:00

Gazetarja sportive e televizionit Fox Sports, Erin Andrews ka fituar një dëmshpërblim prej 55 milionë dollarësh në procesin gjyqësor kundër përndjekësit të saj, Michael David Barrett.

Barrett e kishte filmuar reporteren në një moment ku ajo ndodhej nudo në një dhomë hoteli në Neshvill, në vitin 2008 dhe e kishte postuar videon në internet.

Pas një dite të tërë shqyrtimi, juria e gjykatës në Neshvill ka vendosur që Barrett të paguajë 51 për qind të dëmshpërblimit, rreth 28 milionë dollarë, ndërsa pjesa e mbetur do të paguhet nga kompania që zotëron hotelin, “West End Hotel Partners” dhe ajo që e menaxhonte atë, “Windsor Capital Group”.

Andrews, e votuar dy herë nga “Playboy” si gazetarja sportive më seksi e Amerikës, ka qarë gjatë leximit të vendimit dhe më pas ka përqafuar avokatët e saj, familjarët dhe disa anëtarë të jurisë.

Gazetarja, që kishte kërkuar një dëmshpërblim prej 75 milionë dollarësh, ka deklaruar se për shkak të filmimit të saj dhe publikimit të videos ishte ndjerë e fyer, e turpëruar dhe kishte kaluar momente depresioni.

Top Channel