Stërvitja e përbashkët SHBA-Kore e Jugut, Veriu kërcënon me sulm bërthamor

07/03/2016 00:00

Koreja e Veriut përsëriti kërcënimet e saj për sulme nukleare pa dallim, ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, në kohën kur dy vendet aleate nisën atë që përshkruhet si stërvitja më e madhe e përbashkët ushtarake e organizuar ndonjëherë.

Manovrat përfshijnë më shumë se 300 mijë ushtarë koreanojugore dhe 17 mijë amerikanë, një shtim i ndjeshëm ky i pjesëmarrjes, krahasuar me 2015-n. Ngjarja e përvitshme ka gjeneruar gjithmonë tensione me shtetin komunist.

Urdhri për një goditje bërthamore të drejtë dhe parandaluese u përcoll përmes një deklarate të Penianit. Retorika të tilla nga regjimi koreanoverior nuk janë të pazakonta, por ekspertët dyshojnë në aftësinë e vendit komunist për t’i përshtatur raketave të tij koka me mbushje bërthamore.

Stërvitjet ushtarake të Amerikës dhe Koresë së Jugut, Veriu i ka parë gjithmonë si “provë gjenerale” për pushtim dhe, vitin e kaluar, kërcënoi ta shndërronte Uashingtonin në një “det zjarri”.

Seuli nuk qëndroi indiferent ndaj deklaratave të vendit fqinj, të cilin e këshilloi të frenohet nga çdo akt i nxituar që bart në vetvete shkatërrim. “Nëse Koreja e Veriut i injoron paralajmërimet tona dhe kalon në ndonjë provokim, – tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Moon Sang-gyun, – duhet ta dijë mirë se përgjigjja e ushtrisë sonë do të jetë e vendosur dhe e pamëshirshme”.

Top Channel