Sllovaki, kryeministri antiemigrant humbet shumicën në Parlament

06/03/2016 00:00

Kryeministri i majtë i Sllovakisë, Robert Fico fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vendit, por humbi mazhorancën në Parlament e tani do t’i duhet të gjejë partnerë koalicioni për t’u kthyer në krye të ekzekutivit për një mandat të tretë.

Ishin fitoret e partive të vogla, përfshirë atë të ekstremit të djathtë, që i hoqën votat partisë së Ficos, e që mund të prodhojnë – për pasojë – një Parlament të përçarë pa një rrugë të qartë për krijimin e një qeverie të shumicës.

Tepër i ashpër në qëndrimin ndaj të ardhurve, Fico ishte betuar të mos pranonte në Sllovaki as edhe një “emigrant të vetëm musliman”. Ky është vendi, që merr në korrik Presidencën e radhës të Bashkimit Europian. Linja e tij e ashpër ndaj refugjatëve ishte jehonë e qëndrimeve të ngjashme të udhëheqësve hungarezë, polakë e çekë.

Në total, në Parlamentin sllovak do të kenë përfaqësuesit e tyre 8 parti, mes të cilave Partia Popullore “Sllovakia jonë”, e ekstremit të djathtë, e drejtuar nga Marian Kotleba, që mori mbi 8% të votave.

Kotleba përshkruhet nga korrespondentet e huaj si admirues i hapur i Sllovakisë së kohës së luftës dhe ekzistencës së saj asokohe si “shtet-kukull” i Gjermanisë naziste, e madje deri vonë qarkullonte i veshur me një uniformë të ngjashme me atë të milicisë së atëhershme pronazistëve.

Top Channel