NATO, operacione në detin Egje kundër trafikantëve

06/03/2016 00:00

Pas vendimit të NATO-s për të dërguar flotën e saj detare në detin Egje, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg pasditen e së dielës ka përshëndetur vendimin për zgjerimin e këtij operacioni në ujërat territoriale të Greqisë dhe Turqisë.

“Anijet e NATO-s janë tashmë duke mbledhur informacione dhe po kryejnë monitorim në detin Egje. Veprimtaria e tyre tani do të zgjerohet dhe do të shtrihet dhe në brendësi të ujërave territoriale të Greqisë dhe Turqisë”, thuhet në njoftimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, e cila gjithashtu bën të ditur se është rënë dakord me autoritetet greke dhe ato turke në zhvillimin e operacioneve në brendësi të ujërave të tyre territoriale.

“Qëllimi i vendosjes së NATO-s nuk është për të ndaluar ose të shtyrë mbrapa anijet e emigrantëve, por për të ndihmuar aleatët tanë në përpjekjet e tyre për të ndaluar trafikimin e qënieve njerëzore dhe rrjetet kriminale që janë duke nxitur në këtë krizë”, mbyllet njoftimi.

Top Channel