Irak, rreth 50 të vdekur nga sulmi me autobombë; ISIS përgjegjës

06/03/2016 00:00

Gati 50 vetë mësohet të kenë humbur jetën në Irak, nga shpërthimi i një kamioni çisternë pranë një postblloku në periferi të qytetit të Hillas, në Jug të Bagdadit.

Plot 39 prej të vdekurve ishin civilë, pjesa tjetër efektivë policie. Me dhjetëra persona mbetën të plagosur, disa prej të cilëve rëndë. Sulmi ndodhi në kohën kur në postbllok kishin ndaluar me dhjetëra makina.

Përgjegjësinë e ngjarjes e mori përsipër Shteti Islamik, përmes një postimi në faqen e internetit të agjencisë së tyre të lajmeve “Amaq”.

Në postim thuhet se, operacioni me kamionin-bombë ishte një vepër martirësh, që vrau e plagosi me dhjetëra vetë. Iraku ka përjetuar një përshkallëzim të dhunës muajin që shkoi, kur një seri sulmesh kamikaze llogaritet të kenë marrë mbi 100 jetë njerëzish.

Top Channel