Dy deputetet e Partisë Socialiste, Arta Dade dhe Mimoza Hafizi, i janë drejtuar me një letër elektronike grupit të tyre parlamentar, për incidentin në aktivitetin e Elbasanit me deputetin Ben Blushi.
Në emal-in e nisur të mandatuarve socialistë, zonja Dade dhe Hafizi kërkojnë analizimin e situatës në Elbasan, ku u fishkëllye dhe u tentua të goditej deputeti Blushi. Deputetet socialiste shprehin shqetësimin për këtë ngjarje: “Të shqetësuara nga incidenti i dhunshëm ndaj kolegut Ben Blushi në takimin e Partisë Socialiste në Elbasan, ngjarje që nuk ka asnjë lidhje me vlerat demokratike të PS-së, kërkojmë të ndalemi për ta trajtuar këtë çështje në mbledhjen e grupit të ditës së hënë”, thuhet në email-in e nisur nga zonja Hafizi në emër edhe të koleges së saj Dade.
Mimoza Hafizi dhe Arta Dade janë edhe dy deputete firmëtare së bashku me Blushin për interpretimin e disa pikave të statutit të partisë, ndër të tjera edhe për zgjedhjen e kryetarit.
Kjo çështje është duke u shyrtuar nga Komisioni i Garancive Statutore të Partisë Socialiste. Por kërkesa që incidenti i Elbasanit me Blushin të diskutohet në mbledhjen e grupit socialist të hënën pritet ta avancojë këtë debat, ku përpos incidentit me Blushin, diskutimi nuk mund të shmangë edhe pikën fillestare të këtij debati, kërkesën e deputetëve për zgjedhje edhe për kryetar në Partinë Socialiste.
Mbetet për t’u parë qëndrimi i drejtuesve të grupit parlamentar socialist për përfshirjen në rendin e ditës të hënën të kërkesës së Dades dhe Hafizit.
Top Channel