Kryetari i Partisë Demokratike për Lushnjen, Myslym Murrizi ka marrë pjesë këtë të shtunë në një protestë të banorëve të zonës së Imshtit, ku ka denoncuar investimin e kryeministrit Rama për mikun e tij dhe braktisjen sipas tij të mijëra familjeve të zonës.
“Jemi sot me banorët e fshatit Imsht, një ndër fshatrat më të mëdhenj që ka Bashkia e Lushnjës. Në zemër të Myzeqesë e Shqipërisë, rreth 500 familje kanë një rrugë në gjendje të mjeruar, ndërkohë që para 4 ditësh erdhi kryeministri Rama dhe inaguroi një investim të një klienti të qeverisë, të një oligarku të oborrit dhe ia çon asfaltin deri në derë të serave”, tha Murrizi.
Sipas tij, në këtë fshat janë 500 hektarë tokë dhe fshatarët vuajnë të nxjerrin prodhimet e tyre. “Ata kanë vite që mashtrohen nga politika për rrugën dhe 8 muaj pas zgjedhjeve lokale, kryebashkiaku as që ka denjuar të vijë të takojë këta banorë dhe t’i pyesë për rrugën”, protestoi Murrizi.
Ai tha se, “kryebashkiaku shkon vetëm pas kryeministrit për të vajtur në sarajet e dikujt që i shërben qeverisë, edhe pse ia ka dhënë tokën e shtetit”.
“Në vend që t’ua japë atë tokë këtyre hallexhinjve, që pas vitit 92 janë shtuar dhe kanë fëmijët pa tokë, ua jep atyre që nuk dinë se nga të çojnë paratë dhe ia çon asfaltin bashkë me shtyllat e tensionit të lartë deri tek serat. Pra, qëndrim me dy standarde”, vijoi Murrizi.
“Nuk pyesin për fukarenjtë. U shërbejnë atyre që u ngrohin xhepin. Kjo është politika që ndjek qeveria Rama. Vjen dhe inaguron një investim të tij”, theksoi ai.
Murrizi siguroi banorët se Partia Demokratike është në mbëshetje të tyre dhe nesër në pushtet, hallet që kanë do të jenë prioritet për të marrë zgjidhje.
Top Channel