Siri, armëpushimi shton shanset për bisedimet e paqes

04/03/2016 19:05

Armëpushimi në Siri, që për momentin po mban të qetë situatën, mund të krijojë shansin e duhur për fillimin e bisedimeve të paqes, kanë deklaruar autoritetet europiane.

Sipas zyrës së kryeministrit britanik David Cameron, liderët e Rusisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë zhvilluar një sërë bisedash telefonike këtë të premte, në përfundim të të cilave kanë rënë dakord për të shfrytëzuar “dinamikën pozitive” të situatës.

Vendet e Bashkimit Europian i kërkuan Rusisë që të ndikojë tek qeveria siriane që të respektojë armëpushimin, bënë të ditur autoritetet gjermane.

Sulmet sporadike të verifikuara në disa zona të Sirisë nuk e kërcënojnë armëpushimin, që hyri në fuqi të shtunën e kaluar.

Megjithatë, si opozita ashtu edhe qeveria akuzojnë njëra-tjetrën se e kanë shkelur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Amerika dhe Rusia. Armëpushimi nuk përfshin grupin xhihadist të Shtetit Islamik dhe organizatën Fronti i Al Nusrës.

Duke përfituar nga qetësimi i situatës, mijëra protestues në mbarë Sirinë mbushën rrugët duke u dhënë jetë mitingjeve më të mëdha të verifikuara ndër vite.

Protestuesit në Alepo, Damask, Dara dhe Homs i bënë thirrje presidentit Bashar al Assad që të tërhiqet.

Top Channel