SHBA, thikë në shtëpinë e OJ Simpson; rihapen hetimet për ish-sportistin?

04/03/2016 21:50

Policia në Los Anxheles po analizon një thikë që thuhet se është gjetur në shtëpinë e vjetër të yllit të dikurshëm të futbollit, OJ Simpson, procesi gjyqësor i vitit 1995 i të cilit tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës për faktin se u mbyll me shfajësimin e tij.

Një person që deklaroi se ishte një punëtor ndërtimi i dha një polici që nuk ishte në detyrë thikën disa vite më parë dhe ky i fundit e ruajti atë duke menduar se çështja ishte e mbyllur.

Por policia mori vesh së fundmi për ekzistencën e armës së ftohtë dhe aktualisht po e analizon për gjurmë ADN-je dhe prani flokësh. Simpson ka qenë i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe partnerit të saj në qershor të vitit 1994.

Por juria e atëhershme e shpalli yllin e futbollit amerikan të pafajshëm, pas një procesi maratonë të transmetuar në të gjitha televizionet. Në bazë të ligjit amerikan, ai nuk mund të gjykohet sërish për të njëjtën akuzë.

Në një konferencë shtypi, shefat e policisë së Los Anxhelesit u shprehën skeptikë nëse thika lidhet me rastin e OJ Simpson, duke thënë se mund të jetë vetëm një “falso”.

Top Channel