Rifunksionimi i “Schengen”, KE prezanton udhërrëfyesin për vendet anëtare

04/03/2016 00:00

Komisioni Europian propozoi udhërrëfyesin e detajuar për vendet anëtare, që synon të kthejë në funksionim të plotë sistemin “Schengen” deri në fund të vitit.

Sipas ekzekutivit europian, të gjitha vendet anëtare duhet të zbatojnë rregullat, t’u japin fund qëndrimeve të shmangies së valës dhe t’u ofrojnë qasje azilkërkuesve, por jo atyre që duan të kalojnë tranzit.

Dimitris Avramopoulos, Komisioner i BE-së për Migracionin e Çështjet e Brendshme: Ne po paraqesim një udhërrëfyes për të kthyer funksionimin normal të zonës “Schengen”, pa kontrolle të brendshme kufitare. Ndërkohë, kontrollet e veçanta e të përkohshme, që aktualisht po bëhen në 8 vende të zonës “Schengen”, janë në përputhje me rregullat, ndaj dhe ne nuk mund të harrojmë objektivin se, këto raste janë me të vërtetë të përkohshme dhe të jashtëzakonshme. Ata që duan të vijnë në Europë dhe kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare, do ta kenë këtë. Të tjerët duhet të kthehen. Ky proces tashmë ka filluar. 300 njerëzit e parë u kthyen në Turqi, sepse ishin të parregullt këtu.

Në prag të samitit të së hënës me Turqinë, si dhe atij europian që mbahet për dy javë, Komisioneri Avramopoulos u shpreh se “tashmë është koha për vendet anëtare, që për interesin e tyre të përbashkët, të ruajnë një prej arritjeve më të kurorëzuara të unionit”.

Avramopoulos: Komisioni Europian është i shqetësuar se, nuk ka ultimatum nga ana jonë. Ne kemi Kodin Doganor “Schengen” dhe ndërgjegjen e shteteve anëtare për përgjegjësitë. Ata e dinë se, ajo çfarë është në rregullore duhet të zbatohet. Asnjë shtet anëtar nuk duhet ta përkthejë atë si një rrezik për të shkuar jashtë zonës “Schengen”.

Për mbrojtjen e fortë të kufirit të jashtëm, vendet anëtare – sipas Avramopoulos, – duhet të miratojnë pa vonesë propozimin e dhjetorit të Komisionit, mbi Rojen Bregdetare e Kufitare të BE-së, në mënyrë që funksionimi të nisë këtë verë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel