Rasti i ish-presidentit të Brazilit, policia: Prova për përfshirje në afera korruptive

04/03/2016 18:30

Të gjithë janë shtangur nga marrja e ish-presidentit të Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva nga forcat e policisë për ta marrë në pyetje dhe nga bastisja e shtëpisë së tij, në kuadër të hetimit mbi shkeljet e dyshuara të kompanisë shtetërore të naftës, Petrobras.

Hetimi që ka nisur prej kohësh, që kur Lula ishte në pushtet, ka të bëjë me akuza për korrupsion dhe pastrim parash nga kompania e naftës.

Dhjetëra drejtues dhe politikanë janë arrestuar ose janë nën hetim lidhur me këtë çështje, nën dyshimet për nënshkrimin e kontratave të mbingarkuara me Petrobras dhe për përdorim të parave për të dhënë ryshfete dhe financim të fushatave elektorale.

Policia deklaroi se ka prova se Lula, aktualisht 70 vjec, mori përfitime të paligjshme nga kjo skemë. Megjithatë, deri tani ndaj tij nuk është ngritur asnjë akuzë dhe për këtë arsye, pas marrjes në pyetje, është lënë i lirë.

Zyra e zotit Lula u shpreh në një deklaratë për shtyp se, “dhuna kundër ish-presidentit ishte arbitrare, e paligjshme dhe e pajustifikueshme”. Në të bëhet e ditur se ai ka bashkëpunuar me hetuesit.

Autoritetet braziliane deklaruan se 33 mandate kontrolli dhe 11 urdhëra arresti u ekzekutuan nga rreth 200 agjentë federale në Rio de Zhaneiro, Sao Paolo dhe Bahia.

Edhe shtëpia e Lula, në Sao Bernardo do Campo, u bastis në orët e para të së premtes bashkë me zyrat e institutit të tij dhe ato të bashkëshortes dhe djemve të tij.

Top Channel