Presidencialet, Trump braktis konferencën e konservatorëve

04/03/2016 21:15

Kryesuesi i kandidatëve republikanë për president, Donald Trump ka braktisur pjesëmarrjen në një konferencë politike konservatore, duke zgjedhur vijimin e fushatës elektorale në Kansas dhe Florida.

Organizatorët e Konferencës për Aksionin Politik Konservator u shprehën shumë të zhgënjyer nga ky veprim i miliarderit.

Zoti Trump parashikohej të mbante fjalimin e tij në këtë event ditën e shtunë, në Merilend, ku garuesit e tjerë republikanë pritet të jenë të pranishëm.

“Jemi shumë të zhgënjyer që Donald Trump ka vendosur në minutën e fundit të refuzojë takimin tonë. zgjedhja e tij është një mesazh i qartë për të gjithë konservatorët”, deklaruan organizatorët e konferencës.

Nga ana tjetër, stafi elektoral i zotit Trump bënë të ditur përmes një deklarate për shtyp se, ai do të jetë i pranishëm në mitingun që do të mbahet në Kansas e që do të pasojë me një tjetër në Orlando të Floridës.

Në deklaratë thuhet se, “zoti Trump mezi pret të ndjekë konferencën vitin e ardhshëm, me shpresë në cilësinë e presidentit të Shteteve të Bashkuara”.

Por ky vendim i pasanikut mund të dëmtojë më tej marrëdhënien e “shtrembëruar” të tij me bazën elitë të republikanëve.

Top Channel