Aeroporti i Brukselit rihapet pas sulmeve terroriste

03/03/2016 10:00

Duhej të kishte ndodhur që të premten, por mosmarrëveshjet mbi sigurinë në aeroport detyruan autoritetet të shtynin rihapjen e tij. Zaventemi më në fund u rihap këtë të dielë me kontrolle të tjera shtesë dhe 3 fluturimet e para simbolike të “Brussels Airlines” kanë destinacione europiane.

Aeroporti ndërkombëtar i Brukselit qëndroi i mbyllur për 12 ditë, pas sulmeve kamikaze atje dhe në metronë e Maalbeekut, që kushtuan 32 jetë njerëzish.

Fluturimi i parë, ai drejt qytetit portugez të Faros, pasohet nga një avion i nisur drejt Athinës e një tjetër, që ka për destinacion Torinon e Italisë. Pasagjerët janë njoftuar të shkojnë në aeroport me makinë apo taksi, pasi terminali është ende i mbyllur për trenat dhe autobusët.

Masat e përforcuara të sigurisë parashikojnë kontrollin e të gjithë automjeteve të pasagjerëve, që i drejtohen zonës së nisjeve. Në hyrjen e zonës në fjalë do të ketë verifikime shtesë të kartave të identitetit dhe lejekalimit. Ata që nuk fluturojnë, nuk do të lejohen të hyjnë.

Pas kësaj, pasagjerët do të lëvizin drejt portave të nisjes, ku do t’u nënshtrohen kontrolleve të zakonshme të sigurisë. Autoritetet belge akuzuan ndërkohë një të dyshuar të tretë për përfshirje në aktivitete terroriste, të cilat lidhen me komplotin e ndërmarrjes së një sulmi në Francë. Akuzat vijnë në vazhdën e arrestimit të francezit Reda Kriket, në një periferi të Parisit në datën 24 mars.

Top Channel