NATO: Rusia po i përdor refugjatët si “armë” ndaj Perëndimit

02/03/2016 00:00

Komandanti suprem i NATO-s në Europë, Philip Breedlove bëri një deklaratë të fortë gjatë një seance dëgjimore në Senatin amerikan, ku tha se Moska dhe Damasku po e nxisin vet eksodin e refugjatëve, për ta përdorur si “armë” kundër Perëndimit.

Ligjvënësve amerikanë, Breedlove kërkoi t’iu shpjegonte se, bombardimet masive të civilëve në Siri duket se nuk i shërbejnë asnjë synimi tjetër, përveç dobësimit të kontinentit të vjetër, duke lëshuar drejt tij dallgë të vazhdueshme njerëzish të dëshpëruar për bukë, strehim dhe siguri.

“Së bashku, Rusia dhe regjimi i Assadit po e kthejnë qëllimisht në ‘armë’ emigracionin, në përpjekje për të mbytur strukturat europiane e për të fashitur vendosmërinë europiane”, tha Philip Breedlove.

Kreu suprem i forcave aleate kujtoi fushatën 6-mujore ruse dhe bombat thërrmuese të përdorura nga regjimi sirian ndaj civilëve, duke i përshkruar si prova të qarta, që të dy vendet po përpiqen të shkaktojnë një zhvendosje masive të njerëzve nga Siria.

Kriza e refugjatëve – sipas tij, – ua largon edhe më shumë fuqive perëndimore vëmendjen nga ato që janë rrënjët e vërteta të problemit, pasi energjitë e tyre janë fokusuar te përpjekjet për të menaxhuar fluksin e parreshtur njerëzor.

Rusia e ka zgjedhur vet që të jetë kundërshtare e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë europianë, ndaj të cilëve, ajo përbën një kërcënim ekzistencial afatgjatë, tha Breedlove.

Moska, – shtoi ai, – është e etur ta zgjerojë pa diskutime influencën e saj në shtetet fqinje, e për këtë arsye edhe ka përdorur forcën ushtarake, duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, Gjeorgjisë apo të tjerëve, si Moldavia.

Top Channel