25 vjet pas eksodit të shqiptarëve drejt Italisë, kapiteni i anijes “Vlora”, Halim Milaqi, kujton atë periudhë të vështirë te vitit 1991. Pa ushqim e pa ujë, mbi 20 mijë veta vërshuan në bordin e anijes që ishte në riparim, të etur për të jetuar ëndrrën e lirisë drejt italisë.

“I kujtoj, rrënqethem dhe nuk e mendoj e nuk arrij ta kuptoj se si është vepruar për të parandaluar ndonjë tragjedi që mund të ndodhte në çdo moment. Kanë qenë në bord rreth 20 mijë vetë, me motorr të hapur për riparim që ekuipazhi i anijes, sidomos nga sektori i makinerisë, është bërë e pamundura që të riparohet për të shkuar drejt portit italian. Pavarësisht se njerëzit kërkonin të shkonin edhe më tutje, në Gjermani apo Hollandë, por ishte e pamundur për shkak se ishim pa ushqim dhe pa ujë”, shprehet kapiten i anijes “Vlora”, Halim Milaqi.

Autoriteti Portual i Durrësit, në bashkëpunim me bashkinë dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare, rikthyen ngjarjet me një ekspozitë fotografike kushtuar ngjarjes së 25 viteve më parë.

Ngjarjet fokusohen në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.

Ekspozita sjell për herë të parë 25 foto bardhezi, por edhe pamje filmike të këtij porti nga ku nisi ai udhëtim biblik i dhjetëra mijë shqiptarëve që linin pas vendin e sapodalë nga diktatura komuniste.

Top Channel