Romanca e tyre u konfirmua përmes një kënge, Dakota Johnson i jep fund lidhjes me muzikantin 29-vjeçar
Një pilivesë kurioze, me sytë e saj të mëdhenj që duken përmes vrimave të një gjetheje, është protagoniste e fotografisë fituese të konkursit të përvitshëm të fotografisë, të promovuar nga revistat shkencore BMC Zoology dhe BMC Ecology and Evolution.
Konkursi synon të vlerësojë imazhet që pasqyrojnë bukurinë dhe diversitetin e jetës në Tokë, duke sjellë në vëmendje njëkohësisht punën e studiuesve që kontribuojnë në kuptimin dhe mbrojtjen e botës natyrore.
Fotografia fituese, e titulluar “Dritare mbi Ligatinat”, është realizuar në Indi nga Sritam Kumar Sethy, student në Universitetin Berhampur. Përmes imazhit të pilivesës, fotografi synon të ofrojë një vështrim në botën shpesh të anashkaluar të biodiversitetit të ujërave të ëmbla.
Pilivesat janë grabitqarë të rëndësishëm në ekosistemet e ligatinave dhe konsiderohen gjerësisht si tregues të shëndetit të ekosistemeve.
Në vendin e dytë u rendit një fotografi e realizuar nga Ryan Wagner, i Universitetit Shtetëror të Uashingtonit. Imazhi tregon dy studentë gjatë punës në terren, në një natë me shi pranë Portlandit, në Oregon, teksa i vendosin një transmetues radioje një bretkose për të studiuar lëvizjet e saj.
Kategoria “Marrëdhënie në Natyrë” u fitua nga Victor Huertas, i Universitetit James Cook në Australi, me një fotografi spektakolare të dy sepjeve gjigante australiane meshkuj që konkurrojnë për një femër.

Victor Huertas
Ndërkohë, çmimi në kategorinë “Hulumtim në Veprim” shkoi për Liam Brennan, nga Universiteti i New Brunswick në Kanada. Fotografia e tij tregon një grup studentësh universiteti duke studiuar popullatat lokale të peshqve nën dritën e hënës, në ujërat e cekëta bregdetare të provincës.

Liam Brennan
Një tjetër fotografi e spikatur ishte ajo e Allen Tian, studiues në Universitetin Queen’s në Ontario, Kanada, i cili fitoi çmimin e parë në kategorinë “Mbrojtja e Planetit Tonë”.

Allen Tian
Ai paraqiti një fotografi stereoskopike të realizuar me dron mbi Long Sault Parkway, në skajin perëndimor të rrugës ujore të lumit St. Lawrence. Imazhi pasqyron ndikimin mjedisor të ndërtimit të një dige në të kaluarën, por edhe rimëkëmbjen ekologjike që mund të vijë si rezultat i përpjekjeve për ruajtjen e natyrës.
Përmes këtyre fotografive, konkursi synon të tregojë jo vetëm bukurinë e botës së egër, por edhe lidhjen mes kërkimit shkencor, biodiversitetit dhe përpjekjeve për mbrojtjen e planetit. (Ansa)
Top Channel