Në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluar ishte njëri prej qyteteve më të frekuentuar falë bregdetit të kristaltë dhe shpejtësisë me të cilën po investohej në këtë zonë.
Por sot, Varosha, qytet në Qipro nuk është asgjë më shumë e më pak sesa një qytet fantazmë.
Pesë dekada më parë, hotelet, rrugët, resortet turistike dhe plazhet gumëzhinin nga vizitorët e shumtë, mes të cilëve edhe të famshëm të Hollivudit, si Brigitte Bardot apo Elizabeth Taylor.
Ajo që shkretoi këtë qytet ishte junta e kolonelëve që ndodhi në Greqi në vitin 1974 e që u pasqyrua me lëvizje nacionaliste edhe në popullsinë greke të Qipros. Kjo pasoi ndërhyrjen ushtarake të Turqisë, e cila pushtoi në atë kohë pjesën më të madhe të qytetit të Varoshas.
Qyteti ndodhet në kufijtë e asaj që njihet si “zonë e çmilitarizuar” mes pjesës greke e turke të ishullit. Të vetmet lëvizje që gjen në të janë ushtarët turq që patrullojnë vazhdimisht dhe një vijë të gjatë me tela me gjemba që shkon disa metra në thellësi të detit.
Qyteti mund të vizitohet përmes një lejeje të veçantë prej ushtrisë turke, por ndalohen filmimet dhe fotografimi i tij.
Që prej ndarjes së ishullit në pjesën greke dhe turke tensionet kanë qenë të mëdha, por po kaq të mëdha kanë qenë edhe përpjekjet për të bashkuar dy pjesët e tij dhe bisedimet mes palëve vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Top Channel