SHBA-ja bëhet gati për stuhinë

22/01/2016 14:20

Një super-stuhi dimërore po i afrohet brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku pritet të sjellë reshje thuajse rekord dëbore. 50 milionë vetë janë paralajmëruar mbi rrezikun e stuhisë paralizuese që pritet ta godasë rajonin mbrëmjen e sotme, e brenda disa orësh të lëshojë deri në 60 centimetra dëborë.

Autoritetet thonë se në zonat e prekura mund të ketë probleme të furnizimit me energji elektrike si dhe kaos të trafikut rrugor e atij ajror. Kaq u desh që njerëzit të viheshin në radhë të gjata përpara supermarketeve e të boshatisnin raftet e ushqimeve. Moti i keq është provuar tashmë vdekjeprurës me dy drejtues automjetesh që kanë humbur jetën në  Karolinën e Veriut, një në Tenesi dhe një kalimtar i vdekur në Merilend.

Erëra të forta parashikohen në Manhatan të shtunën, me një shpejtësi që llogaritet të mbërrijë 50 kilometrat në orë. Edhe më të fuqishme do të jenë shkulmet e erës në Uashington e Baltimor. Sipas kreut të Shërbimit Kombëtar të Metereologjisë, Louis Uccellini, sistemi ka potencialin të sjellë një stuhi ekstremisht të rrezikshme që do të prekë miliona njerëz.

Rekordi i reshjeve të dëborës për Uashingtonin është 71 centimetra, sasi kjo e regjistruar përgjatë një periudhe dy ditore janarin e vitit 1922. Ndërkohë, Bostoni që herë të tjera ka mbajtur peshën kryesore të disa stuhive tepër të dhunshme dimërore, këtë radhë pritet të shpëtojë paq.

Problemet në Uashington nisën që me shtresën e parë të dëborës së rënë të mërkurën, që sipas ekspertëve nuk është veçse një fraksion i asaj çfarë pritet mbrëmjen e sotme dhe të shtunën. BBC thotë se në disa zona njerëzit mbetën të bllokuar në trafik për tre orë, e disa dhe i lanë fare në rrugë makinat e tyre, ndërsa kryetarja e bashkisë kërkoi ndjesë përmes Twitter-it për situatën e krijuar.

Ngërçit nuk i shpëtoi as vetë vargu i makinave shoqëruese të Barak Obamës, të cilave rrugëtimi gjysmë orësh për në Shtëpinë e Bardhë i zgjati 1 orë e 12 minuta.

Top Channel