Cilat janë shërbimet sekrete më të forta në botë? Zbulohet renditja pas analizës së 60 ekspertëve Ngacmimet publike të femrave prej refugjatëve, janë shndërruar në një problem për autoritetet gjermane në qytetin e Këlnit.
E për t’i parandaluar këto, në Bornheim, një qytezë e vogël pranë Këlnit, autoritetet vendore kanë vendosur të mos lejojnë asnjë azilkërkues adult që të frekuentojë pishinat e mbyllura publike.
Masa drastike është vendosur pas një sërë denoncimesh të frekuentueseve gjermane, që ankohen për ngacmime seksuale.
Analistët dhe politikanët e interpretojnë këtë masë në qytetin prej 48 mijë banorësh si rezultat i tensioneve sociale që kanë pasuar mbërritjen e 1.1 milionë azilkërkuesve në Gjermani vetëm në 2015-n.
“Ka patur shumë ankesa për ngacmime seksuale nga grupe refugjatësh nëpër pishinat e mbyllura publike. Këto ankesa më detyruan që të marr vendimin për t’u ndaluar të gjithë azilkërkuesve madhorë frekuentimin e këtyre pishinave”, deklaron Markus Schnapka, zv.kryetar i bashkisë së Bornheimit.
Nuk qartësohet sesi do të vihet në zbatim një masë e tillë, por veç kësaj, Schnapka thotë se ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi nëpër kampe për t’u mësuar refugjatëve barazinë gjinore dhe respektin ndaj femrave.
Problematika e ngacmimeve seksuale dhe e përdhunimeve në Gjermani kulmoi në natën e ndërrimit të viteve, kur në qytetin e Këlnit u raportuan mbi 500 raste të tilla. Pas Këlnit pati raportime për raste të ngjashme edhe në qytete të tjera gjermane, por edhe në Suedi e Danimarkë.
Kjo ka nxitur reagimet dhe protestat anti-emigrante dhe zërat kundër politikës së dyerve të hapura të kancelares Angela Merkel janë shtuar ndjeshëm.
Top Channel