Mesditën e së martës, “Shoqata e Transportit Qytetas” i ka dërguar një shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës, ku ka kërkuar rritjen e çmimit të biletës nga 30 lekë, që është aktualisht, në 70 lekë, në rast të kundërt ata thonë se do të pezullojnë aktivitetin e tyre.
Sipas tyre, kjo kërkesë është legjitime, pasi vetëm me 70 lekë mund të mbulohet kosto e shërbimit për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe vështirësive ekonomike, në të cilat gjenden disa prej shoqërive të transportit.
Por, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj.
“Unë udhëtoj vet me autobusë, kështu që këtë historinë e shërbimit të autobusëve në Tiranë nuk e njoh me shkresa, por e njoh personalisht, nga përdorimi në vet të parë. Dhe nuk më rezulton që shërbimi i autobusëve në Tiranë është i justifikuar për kërkesën që bën shoqata e autobusëve. Pra kostoja 70 lekë e biletës. Unë i kuptoj vështirësitë e tyre, ankesat e tyre, por kjo nuk është një arsye për të bërë kërkesa të tilla totalisht joracionale. Për mendimin tim janë edhe absolutisht absurde. Kështu që sa të jem unë kryetar bashkie, ta harrojnë biletën 70 lekë. Këtë nuk e them si kundërkërcënim, por sepse nuk besoj që mënyra e komunikimit është me ultimatume”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, ai është i gatshëm t’i presë në një takim përfaqësuesit e shoqatës, por përpara se të diskutohet rritje e çmimit, më parë duhet të diskutohen disa çështje të tjera.
“Duhet njëherë të dëgjojmë si fillim nëse janë dakord për biletë elektronike, nëse janë dakord për linjat e reja të autobusëve që prekin edhe fshatin, dhe nëse janë dakord që të përmirësojnë e të rrisin cilësinë e shërbimit dhe të mjeteve të tyre. Disa autobusë janë mesatarë, të pranueshëm, ndërsa disa të tjerë janë si zisat, apo fugonat e zuku i kohës së komunizmit. Dhe të kërkosh, teksa e trajton qytetarin si një kafshë e hipur në zuk, që të paguajë 70 lekë sepse aq e ka Prishtina dhe Beogradi, nuk më duket argument”, deklaroi më tej Erion Veliaj.
Rritja e çmimit të biletave për transportin urban, prej vitesh është shndërruar në një betejë mes “Shoqatës së Transportit Qytetas” dhe Bashkisë së Tiranës.
Top Channel