Top Story, buxheti dhe protestat e opozitës

17/12/2015 00:00

Kuvendi kaloi një sërë ligjesh të rëndësishme në seancën plenare të kësaj të enjteje, ndërsa opozita protestonte jashtë sallës së tij.

Mes ligjeve të kaluara ishte edhe dekriminalizimi dhe buxheti i shtetit për vitin 2016. Ndërsa dekriminalizimi kishte bekimin e të dyja palëve, ndryshe ishte me buxhetin. Opozita e kundërshtonte atë brenda sallës me deputetët e saj dhe jashtë saj me mbështetësit e mbledhur aty.

Megjithatë, ndryshe nga ajo e 8 Dhjetorit, këtë të enjte, protesta e Partisë Demokratike nuk ishte aq masive, po ashtu edhe tonet e Lulzim Bashës më të zbutura.

Për të debatuar mbi këto tema, por edhe për të tjera të aktualitetit politik, këtë të enjte përballë njëri –tjetrit me gazetarin Sokol Balla ishte deputeti socialist Alfred Peza dhe ai demokrat, Gerti Bogdani, si dhe gazetarët Basir Çollaku dhe Mustafa Nano.

Peza tha se opozitës i mungon një kauzë për protestë dhe kjo u pa, sipas tij, edhe nga prania e qytetarëve në tubim.

Por Bogdani kundërshtoi duke deklaruar se kauza e opozitës është buxheti, që sipas tij, nuk siguron asgjë për qytetarin, por vetëm për kryeministrin dhe kryeministrinë.

“Buxheti nuk i sjell asnjë të mirë qytetarëve shqiptarë. Është një buxhet që rrit shpenzimet për kryeministrin dhe Kryeministrinë. Asgjë që flet për qytetarët. Këto ishin tezat e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit. Protesta jashtë ishte për buxhetin dhe sot protestonte vetëm Tirana, ndërsa më 8 dhjetor ishin të ftuar gjithë qytetarët nga Shqipëria”, u shpreh Bogdani.

Deputeti demokrat tha se së shpjeti, pasi të diskutohet në grupin parlamentar, projektrezoluta për heqjen e dekoratave për persekutorët e regjimit komunist do të paraqitet në Kuvend. Por a do t’i bashkohet maxhoranca kësaj projektrezolute të opozitës?

“Këto janë vendime që i merr grupi parlameëntar, por unë jam qartazi pro dekomunistizimin dhe shkëputjes nga e shkuara. Është turp kur opozita nuk ka një liman tjetër nga dështimet e saj spektakolare dhe ndryshimi me 180 gradë nga protesta tek rezoluta e shpikur në moment për dekoratat. Kjo tregon mungesë kauzash dhe e seriozitetit të kësaj opozite. Jo filozofia e forcës, por morali e kthen një opozitë në pushtet”, tha Peza.

Peza deklaroi se asnjë qeveri nuk mund të rrëzohet me protesta në Shqipëri, ndërsa Bogdani replikoi duke deklaruar se sot nuk po proteston Partia Demokratike, por qytetarët shqiptarë. Sipas tij, edhe vetë maxhoranca po përgatitet për zgjedhje të parakohshme.

Një nga kritikat më të forta ndaj qeverisë “Rama” është ajo që ka të bëjë me koncesionet e dhëna në kohën e saj, por edhe me lënien në fuqi të atyre që ishte zotuar për çmontimin e tyre, mes të cilëve edhe ai i ngjyrosjes së naftës.

Sipas Alfred Pezës, Partia Socialiste i qëndron premtimeve të saj dhe po punon për realizimin e tyre. Ai u zotua se nuk do të mbetet asnjë koncesion i jashtëligjshëm pa u çmontuar.

“Kjo maxhorancë do t’i shkojë deri në fund çmontimit të koncesioneve të dhënë në mënyrë të paligjshme. Yë gjithë ata që kanë këto koncesione të jenë të bindur se Partia Socialiste do t’i shkojë deri në fund kësaj”, tha Peza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA