Refugjatët, Merkel optimiste për skemën e sirianëve që do të zhvendosen nga Turqia

17/12/2015 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian u mblodhën në samitin përmbyllës të vitit në Bruksel, teksa sfidat për unionin vazhdojnë të jenë të mëdha. Kriza e refugjatëve dhe një dalje e mundshme e Britanisë nga blloku 28-vendesh kryesuan axhendën e bisedimeve të krerëve.

Për të frenuar valën e azilantëve, samiti vendosi që masa kryesore të jetë forcimi i kufijve të jashtëm, duke krijuar njëkohësisht edhe një polici të përbashkët të unionit, e cila do të përballet me fluksin e refugjatëve.

Porta më e madhe hyrëse për ta vijon të jetë Turqia, por një raport i fundit i BE-së tregon se, marrëveshja e firmosur me Ankaranë prej 3 milionë eurosh, ka pasur një impakt shumë të vogël në frenimin e fluksit të refugjatëve.

Megjithatë, Kancelarja gjermane Angela Merkel, pas bisedimeve me kryeministrin turk shprehu besimin se, Ankaraja do të luajë një rol më të madh në reduktimin e emigrantëve të paligjshëm, që hyjnë në Bashkimin Europian.

“Ky takim ishte shumë produktiv. Diskutimet do të vazhdojnë, derisa të hartohet një skemë e saktë sesa refugjatë sirianë do të zhvendosen nga Turqia. Unë i ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë proces, çdo vend që dëshiron të marrë pjesë është i mirëseardhur”, tha Angela Merkel.

Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian deklaroi se planet e reja më së shumti konsistojnë në shpërndarjen e azilantëve, çfarë duket se ka dështuar deri tani. Sipas tij, Europa nuk mund të qëndrojë duarkryq, teksa shtetet e zonës “Schengen” nuk munden as të mbrojnë kufijtë e tyre.

“Të gjithë palët treguan gatishmëri, megjithatë nëse ne refuzojmë tani propozimet e Komisionit Europian, kam frikë se do të gjejmë një zgjidhje tjetër, edhe më të ‘dhimbshme’”, tha Donald Tusk.

Presidenti francez, Francois Hollande e mbështeti propozimin e Tusk.

“Ne duhet të respektojmë në mënyrë të barabartë premtimet, të cilat i kemi bërë tashmë. Veçanërisht sa i përket refugjatëve, të cilët duhet të zhvendosen”, tha Francois Hollande.

Plani i fundit i risistemimit do të bëjë, që vendet e BE-së të pranojnë refugjatë sirianë drejtpërdrejt nga Turqia, sipas një skeme vullnetare.

Top Channel