Franca përgatitet për protesta të reja, Macron: Të rikthejmë ligjin dhe rendin

23/10/2026 16:04

Franca po përgatitet për një fundjavë të re protestash në vazhdën e akteve më të rënda të dhunës urbane të regjistruara vitet e fundit, që shoqëruan demonstratat e javës së kaluar.

Presidenti Emmanuel Macron po përpiqet të rimarrë kontrollin e situatës dhe të rivendosë rendin, në një moment të tensionuar politik, arsyeja kjo me sa duket për të cilën se gjatë kësaj fundjave do të lejohen vetëm demonstratat e organizuara nga sindikatat.

Macron pritet të mbledhë Këshillin e Mbrojtjes, me pjesëmarrjen e ministrave dhe zyrtarëve të lartë, si dhe të zhvillojë një takim me përfaqësues të forcave të sigurisë. Pas këtyre takimeve, shefi i Elizesë do të shpallë me gjasë masa të tjera, përtej kufizimeve të pjesshme të qarkullimit të vendosura tashmë.

Për herë të parë, Macron do të presë edhe përfaqësues të nxënësve të shkollave të mesme, protestat e të cilëve për kushtet në institucionet arsimore janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe rritjes së kostos së jetesës.

Përfaqësuesit e nxënësve kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe reformimin e sistemit të pranimit në universitete, por disa prej tyre shprehen skeptikë se takimi me presidentin do të sjellë rezultate konkrete.

Qeveria franceze po përpiqet të ndajë kërkesat legjitime të protestuesve nga aktet e plaçkitjeve, djegieve dhe shkatërrimeve që shoqëruan demonstratat e së shtunës së kaluar. Masat e sigurisë do të forcohen ndjeshëm gjatë fundjavës, me një rritje prej 20 për qind të efektivëve të angazhuar.

Në Marsejë dhe Lion janë ndaluar demonstratat, ndërsa në Paris protestuesit do të lejohen të marshojnë vetëm përgjatë një itinerari të kufizuar, mes shesheve Bastille dhe Nation. Në kryeqytet, disa institucione të rëndësishme kulturore, përfshirë muzeun e Luvrit, do të qëndrojnë të mbyllura të shtunën, ndërsa panairi i artit Art Basel do të përfundojë më herët.

Organizata Human Rights Watch ka shprehur shqetësim për raportimet mbi plagosjen e rëndë të fëmijëve nga armët që përdoren për kontrollin e turmave. Eva Cosse, studiuese e organizatës për Evropën, theksoi se policia ka përgjegjësinë të garantojë zhvillimin paqësor të protestave, por edhe të mbrojë qytetarët nga aktet e dhunës.

Top Channel