Barcelona ka mbërritur në Japoni, aty ku do të luajë Botërorin e Klubeve, të cilin do të synojë ta fitojë për herë të tretë. Skuadra katalanase, kampione e Evropës, zbriti në aeroportin “Narita International”, ku u prit nga tifozë të shumtë japonezë. Madje, kishte nga ata që kishin qëndruar gjithë natën për të siguruar një vend më të mirë për të parë nga afër idhujt e tyre, siç është rasti i studentit Leo Osaki.
“Doja të shihja nga afër Andres Iniestën. Ishte diçka emocionuese”, tha 20-vjeçari Osaki, ndërkohë që për mesfushorin e Barcelonës foli edhe 19-vjeçarja Rie Sekine, e cila deklaroi se “Iniesta ishte si në foto, ka një prezencë të fortë”.
Barcelona tashmë e ka mësuar emrin e skuadrës kundërshtare të saj në gjysmëfinalen e Botërorit të Klubeve, që do të jetë skuadra kineze e Guangzhou, që drejtohet nga trajneri brazilian Luiz Felipe Scolari.
Top Channel