Rrëzimi i avionit, rritet retorika e luftës në Rusi

05/12/2015 00:00

Rrëzimi i avionit rus nga Forcat Ajrore turke në kufi me Sirinë po nxit retorikën e luftës në Rusi. Grupi i njohur rus “Va-Bank” prezantoi një video të re muzikore e cila përmban mesazhe politike aktuale. Ajo quhet “Dhe pastaj Berlini” dhe është një version i përpunuar i këngës “First we take Manhattan” e kënduar nga kanadezi Leonard Cohen ne 1980.

Aty përmenden sanksionet perëndimore, Krimea dhe diktatori sovjetik Stalin, ndërsa gjatë refrenit përsëritet vargu “Në do të marrim Manhattanin dhe pastaj Berlinin”.

Që nga aneksimi i Krimesë fantazitë për pushtime dhe luftëra janë bërë pothuajse të përditshme në Rusi. Ato i dëgjon nga politikanë, gazetarë dhe ekspertë. Në rrjetet sociale qarkullojnë fotomontazhe apokaliptike, të cilat prezantojnë një luftë të ardhshme me Europën dhe SHBA-në.

Vazhdimisht bëhen kërcënime edhe me armë bërthamore. Kjo është diçka që deri tani qe shmangur në Rusi. “Rusia është vendi i vetëm në botë që është me të vërtetë në gjendje t’i shndërrojë SHBA-të në hi dhe pluhur atomik”, tha në televizionin shtetëror prezantuesi i mirënjohur Dimitri Kiseljov.Që atëherë topuzi bërthamor tundet në mënyrë të përsëritur.

 Sidomos populisti i djathtë dhe zëvendëskryetari i Parlamentit, Vladimir Zhirinovski, ka kërcënuar Kievin, Berlinin apo Uashingtonin se do t’i bëjë shkrumb e hi. Gjatë fjalës së tij në Parlament të martën, Zhirinovski foli për hedhjen e një bombe në Detin e Zi, që do të fshinte nga faqja e dheut Stambollin.

Sociologu rus, Denis Volkov i konsideron deklarata të tilla si përpjekje për të testuar opinionin publik. “Novaja Gazeta” paralajmëroi për rritjen e rrezikut të një konfrontimi të vërtetë bërthamor. “Ata që bëjnë thirrje për përdorimin e armëve bërthamore për hakmarrje dhe jo si instrument frikësimi, janë kriminelët e vërtetë”, shkruante të enjten gazeta kritike ndaj Kremlinit.

Ajo apeloi tek lexuesit e saj që të nënshkruajnë një peticion online ku kërkohet një ligj që do ta konsideronte si vepër penale kërcënimin publik me armë bërthamore. Por, të shqetësuar janë shprehur madje edhe disa gazetarë besnikë të Kremlinit. Uljana Skojbeda, nga gazeta “Komsomolskaja Pravda”, e cila është ithtare e zjarrtë e Putinit, shtroi në një artikull online pyetjen “A na duhet vërtetë kjo luftë?”.

Skojbeda shprehu mendimin e shumicës së rusëve. Sipas një ankete në muajin nëntor të institutit “Levada Center” lufta është shqetësimi më i madh i qytetarëve rusëve. Dy të tretat e të anketuarve (59%) mendojnë se në dhjetëvjeçarin e ardhshëm do të ketë luftë mes Rusisë dhe IS-it. Ndërsa një ndër katër rusë (28%) mendojnë se do të ketë një konflikt të armatosur me NATO-n.

Top Channel