COP21 në Paris, hartohet drafti që mund të jetë bazë për zgjidhjen afatgjatë

05/12/2015 00:00

Delegatë të vendeve pjesëmarrëse në konferencën e OKB-së mbi ndryshimet klimatike në Paris kanë miratuar këtë të premte një draft, të cilin shpresojnë ta shfrytëzojnë si bazë të një marrëveshjeje të re globale për kufizimin e emetimeve karbonike në atmosferë.

Dokumenti prej 48 faqesh do të diskutohet nga ministrat përkatës gjatë ditës së hënë. Ata do të përpiqen të arrijnë në një zgjidhje gjithëpërfshirëse të paktën deri nga fundi i javës së ardhshme.

Ambasadorja franceze për klimën paralajmëroi se ka ende nevojë për zgjidhjen e dallimeve të thella dhe të mëdha politike, gjithsesi.

Delegatët nga 195 vendet pjesëmarrëse kanë punuar gjatë gjithë natës në qendrën ku po zhvillohet konferenca, në Le Bourget, të ndërgjegjshëm për respektimin e afatit përfundimtar të mesditës së të shtunës, të vendosur më herët nga presidenca franceze e këtij takimi.

Dokumenti me një përmbajtje të qenësishme do t’u kalojë tashmë ministrave, të cilët do të duhet të marrin vendimet kryesore politike që nevojiten, nëse teksti do të mund të shfrytëzohen në një marrëveshje afatgjatë.

“Ende nuk është vendosur asgjë dhe po asgjë nuk është lënë pas krahëve tanë”, tha ambasadorja franceze për klimën, Laurence Tubiana. “Ky tekst nënkupton vetëm dëshirën e të gjithëve për të arritur një marrëveshje. Por, nuk jemi ende në fund të rrugës. Ka ende çështje të mëdha politike që duhen zgjidhur”, paralajmëroi ajo.

Megjithatë, shumë delegatë u dukën si të çliruar, të paktën për arritjen deri në këtë pikë, pasi kjo shënon një pikë kritike pas 4 vitesh negociata. Dokumenti përcakton rangun e mundësive për të zgjedhur nga ministrat, se cili do të jetë objektivi afatgjatë i marrëveshjes, ashtu sikurse dhe shkalla dhe metodat e rritjes së financimit për mbrojtjen klimatike për kombet e varfra.

Top Channel