Sulmet e Parisit, BE arrin akordin për ndarjen e të dhënave të udhëtarëve

04/12/2015 00:00

Bashkimi Europian ka rënë dakord për ngritjen e një sistemi për shpërndarjen e detajeve të pasagjerëve të fluturimeve të ndryshme ajrore, si një shtysë për të përmirësuar përpjekjet antiterrorizëm.

Sistemi i regjistrimit të emrave të pasagjerëve (PNR) do të ofrojë akses për informacionet e pasagjerëve, përfshi këtu emrat, detajet e kontaktit dhe të kartës së kreditit.

Detaje të tilla do të mblidhen nga të gjitha agjencitë ajrore europiane të fluturimeve, që hyjnë ose largohen nga vendet e BE-së, ashtu sikurse dhe të linjave midis vendeve anëtare të bllokut.

Shqetësimet për sigurinë janë shtuar së tepërmi pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris.

Por çfarë do të thotë ngjarja e Parisit për Europën? Sistemi në fjalë do të ishte “i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit”, tha ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve.

Ndërkohë, homologu i tij nga Luksemburgu, Etienne Scheider tha se “kompromisi i arritur këtë të premte duhet t’i mundësojë BE-së të krijojë një sistem tepër efektiv të PNR-së, që do të respektojë gjithashtu në tërësi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”.

“Pas kaq shumë vitesh debate, më në fund arritëm një marrëveshje”, tha ai. Sistemi “PNR” është propozuar fillimisht në vitin 2007, por ligjvënësit kanë hasur probleme në miratimin e tij, për shkak të shqetësimeve të tjera mbi shkelje të mundshme të privatësisë së udhëtarëve.

Megjithatë, urgjenca e lindur pas sulmeve të Parisit i uli sërish në tryezën e negociatave ligjvënësit.

Top Channel