Danezët votojnë në referendumin për BE-në

03/12/2015 11:35

Danezët po u drejtohen qendrave të votimit për referendumin për të vendosur nëse do të pranojnë ligjet e BE-së në fushën e drejtësisë dhe politikëbërjes.

Rezultati pritet të jetë i ngushtë mes atyre që janë pro dhe atyre që janë kundër. Qeveria daneze e qendrës së djathtë, e mbështetur nga opozita, dëshiron të braktisë legjislacionin që e mban atë jashtë çështjeve të brendshme të BE-së, që hyri në fuqi në vitin 1993.

Krerët e saj deklarojnë se një votim “jo” do të thotë humbje e anëtarësimit në agjencinë policore europiane Europol. Por Partia e Popullit Danez, që lobon kundër emigracionit, u ka bërë thirrje votuesve që të kundërshtojnë propozimet, që sipas saj i japin më shumë sovranitet Brukselit.

Referendumi shihet si një test nëse danezët do të pranojnë integrimin më të zgjeruar të vendit të tyre në bllokun prej 28 anëtarësh, që nga ana e tij është vënë në provë nga kriza e emigrantëve, raporton korrespondenti i BBC në Kopenhagen.

Edhe pse një votë “pro” nuk do të cënonte qëndrimin e Danimarkës ndaj çështjes së emigrantëve, PPD argumenton se ajo mund të çojë në politika që do të diktohen nga Bashkimi Evropian. Ndaj dhe parulla e tyre në këtë referendum ka qenë “Më shumë BE – Jo faleminderit!”.

Votimi vjen më pak se 3 javë nga sulmet terroriste të Parisit, ku mbetën të vrarë 130 persona. Lobuesit e votës pro argumentojnë se terrorizmi ndërkufitar dhe kriza e refugjatëve nuk mund të zgjidhet pa bashkëpunimin me BE-në.

Top Channel