Ndalesën në Paris, ku mbërriti për konferencën e OKB-së për klimën, Barack Obama e shfrytëzoi edhe për një vizitë të shkurtër në skenën e atij, që ishte më i përgjakshmi i sulmeve të 13 nëntorit, sallës së koncerteve “Bataclan”.
I shoqëruar nga shefi i Elizesë, Francois Hollande, dhe kryetarja e Bashkisë së qytetit, Anne Hidalgo, Presidenti amerikan vendosi një trëndafil të vetëm të bardhë, aty ku humbën jetën 90 vetë. Siguria për këtë vizite ishte maksimale; të gjithë rrugët që çonin në zonë u mbyllën, ndërsa helikopterë të policisë fluturonin aty pareshtur.
Pasi vendosi trëndafilin e tij, Obama qëndroi në heshtje dhe me kokën ulur e duart e bashkuara, në shenjë nderimi.
Franca vazhdon të jetë në gatishmëri të lartë pas sulmeve, që tronditen atë vet e mbarë botën, e që morën gjithsej 130 jetë njerëzish. Prokurorët francezë thonë se, në valën e mirorganizuar të vrasjeve ishin përfshirë 11 militantë, të ndarë në 3 grupe, që koordinonin veprimet mes tyre.
9 agresorë kanë vdekur, dy të dyshuar si të përfshirë në komplot, Salah Abdeslam dhe Mohamed Abrini vazhdojnë të mbeten në arrati. Me dhjetëra “blic”-e policore janë ndërmarrë sa në Francë, ashtu dhe në Belgjikë, prej nga ku vinin një pjesë e terroristëve, megjithatë deri më tani nga dy të shumëkërkuarit nuk ka asnjë gjurmë.
Të dielën, rreth 200 demonstrues u arrestuan në Paris, pas përleshjeve me policinë. Ndalimet erdhën në kohën kur aktivistë të ndryshimeve klimatike kishin formuar një zinxhir njerëzor përgjatë rrugës së tyre të marshimit, të ndaluar nga autoritetet.
Një pjesë e tubuesve në “Place de la Republique” duket se nuk protestonin vetëm për çështjet e klimës, por shprehnin dhe kundërshtinë e tyre ndaj gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
Top Channel