Kërcënimet terroriste, SHBA paralajmërojnë qytetarët: Shmangni lëvizjet

24/11/2015 12:35

Kërcënimet terroriste në rritje shtynë Uashingtonin të lëshojë një paralajmërim udhëtimi për qytetarët amerikanë në mbarë botën, duke i këshilluar të shmangin me sa të munden lëvizjet.

Shqetësimi që detyron autoritetet amerikane të dalin me një paralajmërim të tillë buron sipas Departamentit të Shtetit nga informacionet më të fundit, sipas të cilave Shteti Islamik, Al Kaeda, Boko Haram e grupe të tjera ekstremiste janë duke planifikuar sulme në pjesë të ndryshme të globit.

Gjendja e alarmit, sqaron DASH, do të mbetet në fuqi deri më 24 shkurt të 2016-s. Franca, Rusia, Mali e shtete të tjera janë bërë pre e sulmeve vdekjeprurëse përgjatë këtyre muajve të fundit, çka ngjall frikën se dhe Amerika nuk do të kursehet.

Ndonëse aktualisht nuk ka arsye për të besuar se shtetasit amerikanë janë të shënjestruar në mënyrë të veçantë, paralajmërimi kundër udhëtimeve i kërkon të shtojnë vigjilencën kur ndodhen në vende publike apo mjete transporti.

Këshilla kryesore për ta është të shmangin grumbullimet. Autoritetet besojnë se gjasat e një vazhdimësie të sulmeve terroriste janë të mëdha, sidomos tani kur shumë elementë të ISIS-it janë kthyer nga Siria dhe Iraku.

Tek amerikanët, shqetësimet nga aktet terroriste janë shtuar ndjeshëm pas atentatëve të Parisit. Sondazhet më të fundit të “ABC News” dhe “Washington Post” tregojnë një elektorat gjithmonë e më të përqendruar tek çështjet e sigurisë.

28% e amerikanëve, sipas anketës, e rendit tani terrorizmin si temën kryesore në garën presidenciale të vitit të ardhshëm. Vetëm ekonomia është më prioritare me 33 për qind.

Sondazhi tregon po ashtu se shumica e të intervistuarve e mbështet intensifikimin e goditjeve ajrore kundër ISIS-it dhe shtimin e forcave në terren, ndërsa shprehet kategorikisht kundër pranimit të refugjatëve në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA